ProgramiDiplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare

#DurrësiProtagonistNëArenënNdërkombëtare

Bashkia Durrës ka qenë mjaft aktive në nismat politike rajonale duke ecur paralelisht me linjat e politikës së jashtme dhe të diplomacisë shqiptare, duke krijuar dhe kultivuar marrëdhënie dypalëshe dhe shumëpalëshe me partnerë rajonalë dhe evropianë, në funksion të zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik të qytetit dhe vendit, thithjes së investimeve të huaja dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare, duke parë me prioritet ato vende me të cilat ndajmë të njëjtat vlera demokratike, bazuar në interesat tona kombëtare. 

Aktualisht, bashkia e Durrësit është anëtare me të drejta të plota në Forume aktive Evropiane si: 

  • Forumi i Qyteteve të Adriatikut dhe Jonit/Forum of Adriatic and Ionian Cities (FAIC), që nga viti 2001;
  • MedCities, që nga viti 2017;
  • Rrjeti i Qyteteve Ballkanike B40, që nga viti 2021.

Me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal, qyteti i Durrësit ndër vite ka nënshkruar protokolle binjakëzimi me qytete të tjera të rajonit dhe në Evropë si: Stamboll (Turqi), Selanik (Greqi), Zadar (Kroaci) dhe Bari (Itali).

Gjithashtu, është në proces binjakëzimi me bashki të tjera si: Gjenova (Genova) në Itali, Napoli në Itali dhe Mykolaiv në Ukrainë.

Në kuadër të integrimit evropian, me hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në në korrik të vitit 2022, roli i pushtetit vendor do të rritet shumë, për sa kohë që bashkitë janë përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit të BE-së (acquis Communautaire) dhe përfituese të fondeve strukturore. Në këtë kuadër, ne po zbatojmë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë me sukses në të ardhmen projekte të financuara nga programet e ndryshme të BE-së si edhe nga donatorë të tjerë të huaj.