Emiriana Sako me profesion arkitekte, është kryetare e Bashkisë së Durrësit që nga muaji prill i vitit 2020 dhe nga viti 2022 është nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Gjatë karrierës së saj, Sako ka mbi 12 vite që punon në fushën e arkitekturës, duke kontribuar në zhvillimin e qytetit të Durrësit. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha projektet madhore të realizuara në Durrës, duke bashkëpunuar me studio të njohura ndërkombëtare. Për më tepër, Sako është një prej hartueseve të planit të përgjithshëm vendor dhe bashkëprojektuese e disa prej projekteve më të mëdha urbane në qytet.
Gjatë këtyre 12 viteve përvojë pune në Bashkinë e Durrësit, Sako ka punuar në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit e më pas ka dhënë kontributin e saj si Drejtoreshë e Shërbimeve dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Publike.
Në vitin 2012, Sako mori një Diplomë Master në Universitetin Roma 3 në Romë, Itali. Në vitin 2008, Sako është diplomuar dhe ka marrë një Diplomë Master në Arkitekturë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.
Për sa i përket kualifikimeve profesionale, në vitin 2018, Sako mori një Diplomë për Efiçiencë të Energjisë në Universitetin Polis në Tiranë, Shqipëri. Emiriana Sako ka kryer gjithashtu një sërë kursesh të rëndësishme trajnimi si ai i organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit: Studentët e Shkëmbimeve Ndërkombëtare, Programi Drejtues i Vizitorëve Ndërkombëtarë me fokus – Personat me aftësi të ndryshme/UNFPA, Auditimi i Energjisë i organizuar nga Universiteti Polis në Tiranë, Menaxhimi i Lëvizshmërisë Urbane në Shqipëri, Mobalb, EPOMM, Transporti i Qëndrueshëm Urban dhe Lëvizshmëria në Qytete, Poloni etj. Ajo është gjithashtu e çertifikuar nga Edukimi Ekzekutiv LSE në kursin e Akademisë Urban 95.
Sako ka njohuri të gjëra të gjuhës Angleze, Italiane dhe Frënge.